TRAGJIKE NË KENTAKI TË SHBA-së / SHKON NË 37 NUMRI I VIKTIMAVE

Të paktën 37 persona kanë humbur jetën deri më tani nga përmbytjet në Kentakin lindor (SHBA), ndërsa reshjet po e vështirësojnë akoma më shumë situatën. Të paktën gjashtë fëmijë të moshës një deri në tetë vjeç, gjithashtu kanë vdekur për shkak të gjendjes katastrofike të përmbytjeve.Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear tha se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet pasi “qindra” persona mbetën të zhdukur. BBC shkruan se më shumë se 12,000 familje kanë mbetur pa energji elektrike dhe qindra shtëpi e biznese janë përmbytur. Dëmtimi i rrugëve, urave dhe infrastrukturës tjetër do të kushtojë miliona për t’u riparuar. Beshear, i cili vizitoi disa nga lagjet më të goditura gjatë fundjavës tregoi se kishte parë shtëpi të rrënuara dhe shkolla të shkatërruara, duke i konsideruar përmbytjet më të këqija që ka parë rajoni në dekada.Vendasit e zhvendosur janë strehuar në parqe shtetërore, kisha dhe shtëpi të lëvizshme të sjella nga shteti. Rreth 300 njerëz janë në strehimore, thonë zyrtarët. Një nga viktimat ishte Eva Nicole Slone, 50 vjeçe, e cila kishte dalë gjatë stuhisë për të kontrolluar një fqinj të moshuar. Katër fëmijë të një familjeje të moshave dy, katër, gjashtë dhe tetë vjeç, vdiqën në Knott County pasi shtëpia e tyre u mor nga rrjedha e ujit.

SHARE