“Është koha ime”, Marku zbulon kundërshtarin – i pret të gjithë shqiptarët në “Air Albania”

Më datë 25 gusht, Air Albania do të shndërrohet në një arenë të vërtetë teksa stadiumi kombëtar do të jetë në dispozicion të Florian Markut.

Boksieri shqiptar do të ndeshet para publikut të tij ashtu siç edhe e kishte ëndërruar ndërsa së fundmi vetë lushnjari ka zbuluar edhe emrin e kundërshtarit, i cili do të jetë një meksikan.

Fjala është për Miguel Parra Ramirez dhe ndeshja ndaj meksikanit do të jetë e vlefshme për titullin WBC Silver Interim.

“Florian Marku VS Miguel Parra Ramirez ?? Kam pritur gjithë karrierën time për t’u rikthyer për një ndeshje kaq të madhe në atdhe. Kjo është për te gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë time.
Kjo është koha ime, më 25 gusht kthehem ne Shqipëri për t’u ndeshur për titullin e dytë ne karrierën time “WBC Silver Interim” kundër meksikanit ?? Miguel Parra Ramirez ne një stadium gjigant si Air Albania. Ju pres te gjithëve atje…. I pres te gjithë shqiptaret kudo qe janë neper botë atë ditë në stadium ???”, ka shkruar boksieri shqiptar.

28-vjeçari nga Meksika ka zhvilluar 23 ndeshje në karrierë duke fituar 20, humbur 2 dhe barazuar 1. Aktualisht, Marku mban titullin e IBF International welterweight, të cilin e vendosi në lojë në muajin prill ndaj Chris Jenkins dhe ia doli ta ruante me sukses duke qenë se në arenën e Newcastle Arena fitoi falë një Knock-Out teknik në raundin e katërt.

Tashmë, 29-vjeçari në krahun e tij do të ketë edhe publikun e zjarrtë që pritet të jetë prezent në Air Albania për t’u rritur edhe më shumë prestigjin në arenën ndërkombëtare e për të ndjekur ëndrrën e madhe të titullin kampion bote. /Telegrafi/

SHARE