ABAZOVIQ: TË PËRSHPEJTOHEN PROCEDURAT PËR PËRZGJEDHJEN E BARTËSVE TË FUNKSIONEVE GJYQËSORE

Qeveria e Malit të Zi miratoi informacione gojore për zbatimin e aktiviteteve nga procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq u bëri thirrje deputetëve që të përshpejtojnë sa më shumë zgjedhjen e bartësve të funksioneve gjyqësore dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, duke theksuar se është optimist se deri në fund të muajit mund të marrim rezultat për të paktën një nga tre pikët. „Besoj se në Parlamentin e Malit të Zi është krijuar një konsensus vërtet i gjerë sa i përket rrugës evropiane të Malit të Zi”, tha Abazoviq në seancën e Qeverisë. Ministrja e Çështjeve Evropiane, Jovana Maroviq, theksoi se është thelbësore që personat kyç në gjyqësor të emërohen deri në fund të seancës pranverore ose deri në fund të shtatorit. Ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, tha se sa i përket kapitullit 23, puna në grupet e punës për hartimin e teksteve kryesore ligjore do të përfundojë deri në fund të korrikut. Po ashtu, Qeveria miratoi procesverbalin e seancës së fundit të 11-të, ku u miratua Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KOS). Kryeministri Abazoviq tha se sot ose nesër do të zhvillojë konsultimet e para për Marrëveshjen Themelore me presidentin e Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Ai ftoi publikun profesional që të paraqesë sugjerime. Ministri i Punëve të Jashtme Ranko Krivokapiq tha se nuk është e qartë nëse procesverbali është dashur të miratohet me shumicë të cilësuar dhe sipas Rregullores së Punës së Qeverisë. Abazoviq ka shpjeguar se votimi është bërë sipas Rregullores së Punës së Qeverisë, si dhe theksoi se beson se në kontratë nuk ka asgjë të kontestuar. Ministri i Mbrojtjes Rashko Konjeviq tha se Marrëveshja Politike është shkelur dhe se kryeministri e ka shkelur atë. Abazoviq u përgjigj se nuk ishte i befasuar nga asnjë lëvizje dhe se secili duhet ta bëjë politikën ashtu siç mendon se duhet. “Unë nuk kam prishur asnjë marrëveshje. Marrëveshja është prishur nga ata që nuk do të shprehen dhe ata që kanë dëshira të ndryshme në lidhje me atë se ku duhet të shkojë Mali i Zi,” vuri në dukje kryeminstri.

SHARE