MACRON MENDON SE ËSHTË GJETUR KOMPROMIS MIDIS SHKUPIT DHE SOFJES

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mendon se është gjetur një zgjidhje kompromisi për kornizën e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, e cila do të përfshinte edhe Bullgarinë. “Mendoj se kemi gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Macron në një konferencë për media – në margjina të samitit të NATO-s në Spanjë – por pa dhënë më shumë detaje. Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftuan më vonë se kanë marrë një propozim nga Presidenca franceze “me ide që lidhen me qëndrimet e njohura publike të Maqedonisë së Veriut”. As ata nuk specifikuan se për çfarë propozimi bëhet fjalë. “Kjo është një bazë për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në Qeveri dhe me partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin e shtetit, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend”, tha Qeveria në Shkup. Sipas saj, vendimi për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut do të merret “ashtu siç është premtuar, bashkërisht, sipas meritave dhe në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të të gjithë qytetarëve të tij”. Qeveria maqedonase e falënderoi Macronin dhe Presidencën franceze të Bashkimit Evropian, e cila përfundon mesnatën e 30 qershorit, për, siç tha, ruajtjen e besueshmërisë evropiane në Ballkan.

SHARE