PROTESTA E VETERANËVE NË KOSOVË / KURTI PRANON TË TAKOHET ME PËRFAQËSUESIT E VETERANËVE

Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit ka filluar të mobilizohet për protestën e cila është mbajtur sot para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, protestë kjo e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar që të anulojë pjesëmarrjen e tij në Forumin e Prespës për Dialog, që zhvillon punimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ashtu që të takohet të premten me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai e ka bërë këtë deklaratë në seancën e Kuvendit, teksa jashtë ndërtesës kanë qenë duke protestuar veteranët, si shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor. Projektligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Kurti ka thënë se Qeveria ndan rreth 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta, dhe se kjo shifër është më e madhe sesa ajo që ndahet për sigurinë e vendit. “Unë nuk besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes për veteranët e luftës së UÇK-së, ne mund të dallojmë në bindjen tonë për numrin e tyre. Ky është një debat që zhvillohet në shoqërinë tonë, që natyrisht zhvillohet edhe në Kuvend”. Ai ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me kategoritë e dala nga lufta “për të arritur te numri i vërtetë i veteranëve”. “Konsiderojmë që pjesëmarrës në luftën çlirimtare kanë qenë më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve të UK-së është i fryrë, dhe ky është gabim edhe për historinë që do t’iu mësohet fëmijët në brezat e ardhshëm, sepse është diçka e pavërtetë”.

SHARE