ITALIA RRIT IMPORTET E NAFTËS RUSE, ZVICRA GODET BANKËN MË TË MADHE RUSE, SBERBANK

Edhe pse u pajtua me vendimin e BE-së për të reduktuar importet e naftës së papërpunuar ruse me 90 për qind deri në fund të vitit, Italia u kthye në shtetin e vetëm në Europë që në realitet, bëri të kundërtën. Bashkimi Europian vendosi një paketë të re masash shtrënguese ndaj Moskës, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por embargoja ndaj naftës ruse tani vë në rrezik një prej rafinerive më të mëdha të Italisë, që gjendet në Sicili, dhe mund t’i japë goditje të madhe ekonomisë italiane. Italia është pajtuar me partnerët e BE-së për të zvogëlojë importet e naftës së papërpunuar ruse deri më 2023, një lëvizje që kryeministri italian, Mario Draghi e ka quajtur “sukses të plotë” që “disa ditë më parë as që do të ishte e pabesueshme”. Por rafineria e naftës e Italisë në Sicili, që është në pronësi të kompanisë ruse, Lukoil, e rriti prodhimin nga 15 në 100 për qind të naftës së papërpunuar ruse. Italia në maj ka marrë afro 400,00 fuçi naftë ruse në ditë, katër herë më shumë sesa nivelet e importeve para pushtimit të Ukrainës. “Italia është shteti i vetëm që ka rritur importet e naftës në Evropë”, thanë nga instituti ISPI, dhe është kthyer pas pushtimit në importuesen e tretë më të madhe të naftës, ndërkohë që përpara agresionit rus në Ukrainë, ishte importuesja e 6-të në Europë. Zvicra nga ana tjetër do ta zgjasë deri në gusht bllokadën ndaj bankës më të madhe ruse, Sberbank. Vëzhguesi i tregut financiar në Zvicër, FINMA, tha se kjo ndalesë nuk i lejon bankës ruse që të kryejë pagesa dhe transaksione si dhe përfshin edhe masa të tjera të krijuara për të mbrojtur kreditorët.

SHARE