Investimet në Kosovë dhe siguria për Kosovën, në dritën e problemeve ekzistuese në Ballkan, kanë qenë qëllimet vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ka thënë gazetarëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten, në Aeroportin e Prishtinës. Ai është kthyer të premten në Kosovë, pas qëndrimit për tre javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Kurti ka theksuar se ka vizituar Shtëpinë e Bardhë në Uashington dhe është takuar me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan dhe temë e këtij takimi, të cilin e ka quajtur si tejet të veçantë, ka qenë siguria për Kosovën. “Kemi kërkuar mbështetjen për programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, që paraqet hapin e parë, tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Kemi biseduar për mundësitë që të na ndihmojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku tashmë kepi aplikuar. Aty kemi disa shtete, të cilat kanë statusin e vëzhguesit – përveç shteteve anëtare – në mesin e të cilave, duket theksuar Shtetet e bashkuara të Amerikës”, tha Kurti, duke shtuar se është biseduar edhe për synimin e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kurti, u ka tënë të premten gazetarëve, se në takimet me zyrtarët amerikan ka shprehur qëndrimin lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë. “Qëndrimi dhe qëllimi është i palëkundshëm. Pra, Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, ku n qendër do të jetë njohja reciproke”, theksoi Kurti. Ai ka shtuar se shumicën e takimeve, gjatë vizitës në SHBA, e ka pasur me kompani të ndryshme, të cilat, siç theksoi Kurti, i ka njoftuar “për progresin në Kosovë, për shanset për investime”, si dhe ka kërkuar kontributin e tyre “përmes përfitimeve të dyanshme”.