NESËR DEBATË RRETH NEGOCIATAVE ME BE

Diskutimi panelit “Negociatat me BE: dikur dhe tani” do të organizohet nesër me rastin e shënimit të gjashtë vjetorit që nga fillimi i bisedimeve të pranimit të Malit të Zi, në Bashkimin Evropian.

Kjo debatë  organizohet nga Zyra për Integrime Evropiane e Malit të Zi, në bashkëpunim me Bashkimin Pan-Evropian të Malit të Zi. Nga Qeveria e MZ, kumtuan se në panel do të folin negociuesi kryesor për negociatat për pranimin e Malit të Zi në BE, Alleksandar Drleviq, Shefja  e stafit për negociata për pranimin në BE Tanja Mishqeviq dhe ambasadori i Kroacisë në Malin e Zi, Veselko Grubishiq.

Moderatore e panelit do të jetë Presidentja e Bashkimit Pan-Evropian të Malit të Zi, Gordana Gjuroviq.

“Ky tubim do të jetë një mundësi për të shkëmbyer mendime mbi përvojat e Malit të Zi, Kroacisë dhe Serbisë në negociatat e pranimit, situatën aktuale në BE, si dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatë.

Kjo debatë organizohet në kuadër të projektit “EU4ME”, i cili financohet nga BE, ndërsa zbatohet nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

SHARE