GJYKATA SPECIALE: HYSNI GUCATI DHE NASIM HARADINAJ DËNOHEN ME NGA 4 VJET E GJYSMË BURGIM

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020. “Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III. Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes. Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj u akuzuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

SHARE