100-VJETORI I VENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE SHQIPËRI-SHBA

Ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka realizuar një vizitë në Shqipëri në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe në kuadër të nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes shoqërive Albgaz dhe Overgas. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar ish-kryediplomatin amerikan, ku në lidhje me këtë takim, Rama ka shkruar në rrjetet sociale se kanë folur “për lidhjen e ngushtë mes Shqipërisë e SHBA-së, pasojat e luftës mbi zinxhirin ekonomik, projektet amerikane në Shqipëri, situatën në rajon dhe bukurinë e rrallë të vendit tonë”. Ndërkohë, po sot është organizuar në Tiranë edhe konferenca “Together-Krah për Krah”, nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, me pjesëmarrjen e zyrtareve të lartë të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të SHBA-së. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj në konferencë theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pasqyra ku shohin vetveten kombet që sipas saj aspirojnë për liri e demokraci, zhvillim e mirëqenie dhe paqe e siguri. “Shtetet e Bashkuara janë dora e zgjatur e miqësisë, talenti i pashtershëm i lirisë, fuqia e ndryshimit, udhëheqësi i valëve të demokratizimit dhe integrimit të Shqipërisë e shqiptarëve drejt qytetërimit perëndimor, arkitekti i sinergjisë funksionale midis demokracisë, stabilitetit e sigurisë”, ka theksuar Nikolla. Pompeo theksoi gjatë fjalës në konferencë se “unë e shoh që kjo miqësi do të ketë edhe 100 vite të tjera po aq të suksesshme”. “Që nga viti 1922 marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë po aq të shkëlqyera. Kjo marrëdhënie e fortë që është ndërtuar me kombe të ndryshme, në kohë të ndryshme dhe me Shqipërinë është e veçantë sidomos për 30 vitet e fundit për të ndërtuar, konsoliduar demokracinë”, tha Pompeo. Duke folur në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, ai tha se edhe pas luftës do duhet të ndihmojnë Ukrainën që të rindërtohet. Mes shoqërive Albgaz dhe kompania Overgas u nënshkrua sot në Tiranë një memorandum mirëkuptimi, duke shprehur synimin e tyre të ndërsjellë mbi diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror.

SHARE