MINISTRAT E BE-së I BËJNË THIRRJE HUNGARISË TË MBËSHTESË EMBARGON NDAJ NAFTËS RUSE

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kërkuan të hënën nga Hungaria që të heqë veton për embargon e propozuar ndaj naftës ruse, teksa Lituania tha se blloku po “mbahet peng nga një shtet anëtar”. Embargoja ndaj importeve të naftës së papërpunuar ruse është propozuar nga Komisioni Evropian më herët gjatë majit, dhe nëse miratohet, do të ishte sanksioni më i ashpër në përgjigje të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia. Gjermania, që është blerësja më e madhe e energjisë ruse, tha se dëshiron një marrëveshje që autorizon embargon e naftës, që sipas këtij shteti, mund të zgjaste për vite të tëra. “Jam e bindur se do të gjejmë një marrëveshje në ditët në vijim”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, teksa arriti në takimin me homologët e saj. Por, Hungaria, që është aleatja kryesore e Rusisë në BE, ka thënë se dëshiron qindra-milionë dollarë nga blloku për të mbuluar koston e heqjes dorë nga nafta e papërpunuar ruse. Që propozimi i Komisionit Evropian të hyjnë në fuqi, duhet që të pajtohen të 27 shtetet e BE-së. “I gjithë blloku po mbahet peng nga një shtet anëtar… ne duhet të pajtohemi, ne nuk mund të mbahemi peng”, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis. Edhe ministra të tjerë të Jashtëm të bllokut i bën thirrje Hungarisë që të pajtohet për embargon ndaj naftës ruse.

SHARE