BE KËRKON MARRËVESHJE MES KOSOVËS DHE SERBISË DHE KUSHTE PËR TAKIM TË NIVELIT TË LARTË

Bashkimi Evropian është duke shpresuar se gjatë kësaj jave do të ketë edhe një takim mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve. Pas dështimit javën e kaluar që të arrihet marrëveshja për targat, një burim i bllokut evropian u ka thënë të hënën, 25 prill, gazetarëve se palëve u është përcjellë ftesa që të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje dhe tema tjera. Sipas këtij burimi, palët janë “shumë afër” për të arritur dy marrëveshje tjera, atë për energji dhe për të pagjeturit. “Sa i përket çështjes së të pagjeturve, praktikisht ka mbetur të zgjidhen vetëm dy fjalë, pra një gjysmë fjalie, që të kemi marrëveshjen”, ka thënë ky burim. Në BE thonë se është e domosdoshme që të ketë shpejt marrëveshje, në mënyrë që të krijohen kushtet për takimin e nivel të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Të dy u kanë thënë përfaqësuesve të BE-së dhe Kuintit (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania) se janë të gatshëm të vijnë në takime, në kuadër të dialogut, kurdo që të ftohen nga BE-ja” ka thënë një zyrtar i BE-së. Megjithatë, kryediplomati evropian, Josep Borrell ka thënë më parë se ai nuk do t’i ftojë palët në takim të tillë nëse nuk do të ketë sinjale të qarta se ato kanë gatishmëri për të arritur përparim në takime të tilla. Arritja e marrëveshjeve për targat, për energji dhe të pagjeturit do të krijonte kushte edhe për takim në nivel të lartë mendojnë në BE.

SHARE