LAVRON: MOSKA QËNDRON PËR “ZGJIDHJE TË NEGOCIUAR” ME UKRAINËN

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Moska qëndron për një zgjidhje përmes bisedimeve të paqes me Ukrainën, por se Kievi nuk tregon interes për to. Duke folur në një konferencë për media në Moskë, pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, shefi i diplomacisë ruse tha se nëse delegacioni ukrainas vazhdon në këtë mënyrë me injorimin e propozimeve të Rusisë, bisedimet e paqes vështirë se do të kenë sukses. “Ne jemi për një zgjidhje të negociuar, por është dëshpëruese mënyra se si delegacioni ukrainas u soll në bisedime, mënyra se si u soll presidenti (Volodymyr) Zelenskyy duke refuzuar të konfirmojë se ata pranuan propozimet tona të reja një javë më parë”, tha Lavrov. Ai tha se autoritetet ukrainase vendosin shpresat e tyre për mbështetjen ushtarake perëndimore, gjë që do të ndihmonte për të fituar luftën në fushën e betejës. “Nëse kjo do të vazhdojë, bisedimet vështirë se do të kenë ndonjë rezultat, por e përsëris se ne i përmbahemi një zgjidhjeje të negociuar, i përmbahemi një armëpushimi”, tha Lavrov. Shefi i OKB-së, nga ana e tij, shprehu shqetësim për ankesat e shpeshta për krimet e luftës nga të dyja palët. Guterres tha se informacione të tilla kanë nevojë për hetim të plotë dhe shtoi se megjithëse ai mbështet kryerjen e hetimeve të pavarura, sekretariati i OKB-së nuk ka autoritet për të kryer aktivitete të tilla. Ai po ashtu njoftoi se ka propozuar formimin e një grupi trepalësh, respektivisht të OKB-së, Rusisë dhe UKrainës, i cili do të trajtojë çështjet humanitare. “Unë propozova formimin e një grupi të kontaktit për çështjet humanitare, që do të bashkonte OKB-në, Rusinë dhe Ukrainën për të kërkuar mundësi për hapjen e korridoreve të sigurta me një armëpushim të njëkohshëm për të garantuar efektivitetin e këtyre korridoreve”, tha Guterres. Duke folur për reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Lavrov dhe Guterres folën në favor të zgjerimit të saj në kurriz të rajoneve të nën-përfaqësuara, si Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Lavrov u pyet për akreditimin e një përfaqësuesi taleban si ambasador afgan në Rusi. Ai tha se pranimi i ambasadorit të talebanëve nuk do të thotë njohje e talebanëve si autoritete legjitime të Afganistanit, edhe pse Rusia dëshiron të avancojë në këtë drejtim.

SHARE