MACRON SIGURON MANDATIN E DYTË PRESIDENCIAL NË FRANCË

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shënuar fitore bindëse ndaj rivales së tij të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit në Francë. Macron ka nisur fjalimin e fitores duke falënderuar mbështetësit e tij dhe popullin francez. Do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe për barazi në mes të burrave dhe grave”, ka thënë Macron. “Ne duhet të tregojmë respekt sepse shteti ynë është aq i ndarë… askush nuk do të lihet anash”.Presidenti francez po ashtu ka thënë se “kjo epokë e re nuk do të vazhdojë me metodat e pesë vjetëve të fundit”. Udhëheqësit botërorë uruan presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për rizgjedhjen e tij në zgjedhjet e së dielës. “Ne mund të mbështetemi te Franca edhe për pesë vjet të tjerë”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në Twitter. “Franca është aleatja jonë më e vjetër dhe një partnere kyçe në adresimin e sfidave globale”, shkroi presidenti amerikan, Joe Biden, në Twitter. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se votuesit francezë “kanë dhënë një votë të fortë besimi për Evropën”. “Jam i lumtur që do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mirë”, tha ai. Kryeministri britanik, Boris Johnson, e cilësoi Francën si një nga aleatët më të afërt dhe më të rëndësishëm.

SHARE