KOMITETI BE-MALI I ZI BËRI THIRRJE PËR T’I DHËNË FUND BOJKOTIT TË KUVENDIT

Komiteti i Përbashkët Konsultativ i Bashkimit Evropian (BE) dhe Malit të Zi u ka bërë thirrje partive parlamentare që të kapërcejnë klimën e polarizuar politike dhe t’i japin fund praktikës obstruktive të bojkotimit të Kuvendit. Kështu thuhet në deklaratën e miratuar në takimin në Bruksel. Në pjesën që lidhet me procesin e anëtarësimit, Komiteti i Përbashkët Konsultativ kërkon tejkalimin e klimës së polarizuar politike, ndërprerjen e bojkotit të Kuvendit dhe dialogun për formimin sa më të shpejtë të një Qeverie të re dhe të qëndrueshme. Situata për punën e shoqërisë civile në Mal të Zi është ende e pafavorshme, është vlerësuar në deklaratë. Komiteti vëren me shqetësim se afati për arritjen e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive është shtyrë edhe një herë deri në fund të vitit. Gjithashtu, në deklaratë vihet re një numër i konsiderueshëm i kontratave dhe punëve të pasigurta. Ndër të tjera, Komiteti i Përbashkët dënon zgjerimin e skemës së nënshtetësisë malazeze përmes investimeve, pasi është burim i mundshëm i korrupsionit, evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, dhe u kërkon autoriteteve malazeze që t’i japin fund programit sa më shpejt të jetë e mundur.

SHARE