Ministri i Financave të Malit të Zi, Darko Radunoviq, deklaroi se forcimi i stabilitetit makroekonomik dhe rritja e nivelit të konkurrencës janë parakushte për zhvillimin më dinamik të vendeve të rajonit.
Ai në hapjen e Samitit të ministrave të financave, guvernatorëve dhe drejtorëve të administratës tatimore të rajonit, i cili filloi sot në Beçiq, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor, gjatë viteve të fundit, ka bërë një rimëkëmbje nga kriza ekonomike globale.
“Të gjitha vendet, kryesisht falë përmirësimit të performancës ekonomike dhe aktivitetit të investimeve, arritën rritje ekonomike pozitive vitin e kaluar” tha, Radunoviq. Duke folur për temën e stabilitetit financiar dhe monetar të rajonit dhjetë vjet pas fillimit të krizës financiare globale, ai tha se pasojat e trazirave ekonomike në tregun botëror ndjehen edhe sot në tregun e brendshëm vendas.
“Në këtë kontekst, kriza ka përcaktuar sfida edhe për qeveritë që kryesisht adresojnë çështjen e deficiteve të dyfishta të vendeve të rajonit, gjegjësisht deficitin e financave publike dhe deficitin e bilancit aktual të pagesave, si dhe borxhin e lartë publik, megjithëse në shumicën e vendeve është prirur rënia e saj” , tha Radunoviq.
Duke përfaqësuar Malin e Zi, Radunoviq tha se forcimi i stabilitetit fiskal në MZ, bazohet në zbatimin e masave të konsolidimit fiskal, të cilat janë të përfshira në Strategjinë Fiskale të Qeverisë, të cilat për objektivin afatmesëm kanë krijimin e një suficiti në buxhet dhe krijimin e trendit në rënie të borxhit publik.