GALLIQ: KORONA DO TË JETË SI GRIPI NËSE NUK NDODHIN MUTACIONE

Koronavirusi nuk do të zhduket, por do të veprojë si virusi i gripit nëse nuk ka mutacione të reja që mund të jenë të papërshtatshme, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galliq. Ai në emisionin “Mirëmëngjes Mali i Zi” bëri të ditur se heqja e maskave mbrojtëse do të jetë një nga hapat e fundit sepse ato kanë treguar efikasitet të madh në mbrojtjen ndaj viruseve të tjera të rrugëve të frymëmarrjes. Galliq tha se ekspertët janë ende të kujdesshëm kur bëhet fjalë për përfundimin e pandemisë. “Derisa të zhduket pandemia, jemi të kujdesshëm. Ne sigurisht përfitojmë nga lloji i imunitetit kolektiv që arrihet nëpërmjet vaksinimit. Vaksinimi duhet të vazhdojë, sidomos te pacientët e moshuar dhe me sëmundje kronike”, tha ai. Deri më tani, 60 për qind e qytetarëve të rritur janë vaksinuar me dy doza, dhe rreth 20 për qind me dozën e tretë. “Nëse e shikojmë popullsinë e përgjithshme, bëhet fjalë për rreth 47 për qind të qytetarëve të cilët janë plotësisht të vaksinuar, ndërsa me dozën përforcuese rreth 15 për qind. Kjo përqindje duhet të jetë më e lartë”, tha ai. “Ne jemi të vetëdijshëm se masat lehtësuese mund të demotivojnë njerëzit për t’u vaksinuar, por po ndjekim trendin e rënies së numrit të të infektuarve dhe qytetarët duhet të dinë se cila është mbrojtja më e mirë për ta, veçanërisht të sëmurët kronikë dhe të moshuarit”, theksoi Galliq. Koronavirusi nuk do të zhduket, thotë Galliq. “Ai do të jetë aty si sëmundje endemike. Unë supozoj se do të sillet si një virus gripi dhe do të ketë karakter sezonal nëse nuk do të ketë mutacione të reja që mund të jenë shumë të papërshtatshme”, tha drejtori i ISHP-së.

SHARE