Meqenëse situata epidemiologjike po bëhet më e favorshme, Qeveria e Malit të Zi ka vendosur që të zbusë edhe më tej masat epidemiologjike nga e premtja, 11 mars deri më 25 mars, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galliq.
Hiqet detyrimi për të mbajtur certifikatë COVID:
1. Për të hyrë në Mal të Zi;
Në përputhje me masat bazë epidemiologjike dhe duke respektuar numrin e lejuar të vizitorëve, certifikimi për COVID nuk kërkohet më:
2. Gjatë qëndrimit në institucionet kulturore (teatro, kinema, muze, galeri, etj.);
3. Gjatë qëndrimit në ambiente hotelierike (restorante, kafene, kafeteri, etj.);
4. Gjatë qëndrimit në objekte që organizojnë lojëra fati (bastiere, kazino, etj.);
5. Gjatë qëndrimit në ambiente sportive si jashtë ashtu edhe brenda;
6. Gjatë qëndrimit në qendra fitnesi dhe palestra;
7. Gjatë qëndrimit në këndin e lojërave për fëmijë;
8. Gjatë pjesëmarrjes dhe qëndrimit në tubime në vende publike të mbyllura (ngjarje publike, tubime politike dhe private, festime, ahengje, dasma, si dhe ngjarje të tjera);
Masat e reja:
9. Rritet numri i vizitorëve në ngjarjet publike dhe ngjarje të tjera në natyrë nga 50 në 100 persona;
10. Lejohet pranimi i ngushëllimeve dhe kryerja e varrimeve, në prani të deri 100 personave;
11. Lejohet organizimi i aktiviteteve argëtuese, sportive dhe çlodhëse për fëmijë dhe të rritur në vende të hapura publike në prani të deri 100 personave.
ISHP thekson se vizitat e pacientëve në spitale janë ende të ndaluara. Sipas Galliq, numri i pacientëve të rinj në dy javët e fundit është ulur me rreth 61% krahasuar me dy javët e mëparshme. Numri i vdekjeve në dy javët e fundit, shtoi Galliq, është rreth 64% më i ulët se në dy javët e mëparshme. “Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi, si deri tani, do të monitorojë situatën epidemiologjike dhe, në përputhje me të dhënat e marra, do të propozojë masa të reja”, tha Galliq.