MALI I ZI MIRËPRET BASHKËPUNIMIN ME KOSOVËN

Bashkëpunimi në nivelin lokal ndërkufitar, dixhitalizimi i shërbimeve komunale dhe projektet e përbashkëta ndërshtetërore në fushën e zhvillimit lokal ishin temat kryesore të cilat u diskutuan në takimin zyrtar në mes të Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi dhe Ministres për Administratë Publike, Shoqëri Dixhitale dhe Media e cila mbulon edhe Pushtetin Lokal në Malin e Zi, znj. Tamara Srzhentiq. Ministri z. Krasniqi, i uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Ministres znj. Srzhentiq, duke e falënderuar për bashkëpunimin korrekt dhe marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve duke synuar thellimin e këtij bashkëpunimi në projektet dhe prioritetet ndërshtetërore. Gjatë këtij takimi Ministri z. Krasniqi, e informoi Ministren znj. Srzhentiq, për projektet strategjike dhe programet zhvillimore të MAPL-së, të cilat përfshijnë përmirësimin e agjendës legjislative të nivelit lokal, zhvillimin infrastrukturor dhe kapital të Komunave, dixhitalizimin dhe transparencën në ofrimin e shërbimeve komunale më efikase për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Ministrja e Malit të Zi, znj. Tamara Srzhentiq, e falënderoi Ministrin z. Krasniqi për pritjen dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në nivelin lokal duke u fokusuar tek bashkëpunimi ndërkufitar, dixhitalizimi dhe transparenca. Ministrja znj. Srzhentiq, e njoftoi Ministrin z. Krasniqi për disa nga programet dhe iniciativat kryesore të Malit të Zi në fushën e zhvillimit të nivelit lokal, duke theksuar reformën në administratën publike, transformimin dixhital dhe ofrimin e shërbimeve më efikase të bazuara në e-qeverisje. Në fund, të takimit Ministri z. Krasniqi dhe Ministrja e Malit të Zi, znj. Tamara Srzhentiq janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët ndërshtetëror.

SHARE