“EVROPA TANI” IA DOLI ME SUKSES, PAGA MESATARE 686 EURO

Programi “Evropa Tani” ka pasur sukses, ka thënë ministri i Financave dhe Mirëqenies Sociale në mandatin teknik, Millojko Spajiq, duke theksuar se kjo mund të shihet përmes rritjes së pagës mesatare për muajin janar, e cila sipas të dhënave të Monstat ishte 686 euro. Ai po ashtu siguron se qytetarët nuk kanë arsye për t’u shqetësuar kur është fjala për “Evropa Tani” në kohën e qeverisjes aktuale, si dhe bëri të ditur se kanë shënuar rritje të të hyrave buxhetore në dy muajt e parë të këtij viti. Në prezantimin e rezultateve të programit “Evropa Tani”, Spajiq në një konferencë për media tha se vlerësimi i rritjes së pagës mesatare në 700 euro deri në fund të vitit 2022 është plotësisht real. “Për herë të parë në historinë e Malit të Zi, shporta minimale e konsumit për katër persona është më e ulët se paga mesatare. Shporta minimale e konsumatorit është 681 euro dhe paga mesatare është 686 euro,” vuri në dukje Spajiq. Inflacioni në Mal të Zi, siç tha ai, është në nivelin evropian prej 5.7 për qind për muajin janar në nivel vjetor. “Ne kemi dëgjuar shumë herë se ‘Evropa Tani’ është vetëm rezultat i inflacionit. Sigurisht, kjo është e pasaktë, ne shohim paga që u rritën me 26.1 për qind në baza mujore. Kemi pasur një rritje fantastike të pagave në janar,” theksoi Spajiq. Paga mesatare neto në janar është rritur me 29.4 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.Paga mesatare bruto në janar ishte 890 euro.“Nëse kemi parasysh se çmimet e konsumit në janar në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar janë rritur për 1,3 për qind, rezulton se pagat reale për të njëjtën periudhë janë rritur me 26,1 për qind”, thuhet në deklaratë.

SHARE