NUK MIRATOHET RENDI I DITËS PËR SHKARKIMIN E ABAZOVIQ

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi nuk diskutuan për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq, pasi rendi i ditës nuk mori mbështetjen e duhur. Seanca parlamentare zgjati vetëm disa minuta. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, ka bërë të ditur se në rendin e ditës kanë votuar 77 deputetë, prej tyre 20 kanë votuar pro, 11 kundër dhe 46 kanë abstenuar. Deputetja e FD-së, Simonida Kordiq, votoi nga distanca dhe ishte “për” miratimin e rendit të ditës. Në seancën parlamentare erdhën pothuajse të gjithë anëtarët e qeverisë dhe të opozitës. Në rendin e ditës ishin dy pika – iniciativa e kryeministrit Zdravko Krivokapiq për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Abazoviq dhe propozimi për zgjedhjen e ministrit të Financave dhe Mirëqenies Sociale Millojko Spajiq për atë post. Abazoviq më herët gjatë ditës së sotme në Kuvend tha se nuk priste asgjë spektakolare nga seanca e sotme parlamentare, në të cilën është paraparë debati për shkarkimin e tij.

SHARE