MALI I ZI DHE KOSOVA PA TAKSË KUFITARE

Sot, në ambientet e Ministrisë së infrastrukturës së Kosovës me ftesë të ministrit të Kosovës Palë Lekaj, në vizitë zyrtare në Kosovë qëndroi ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurkoviq.

Lekaj e Nurkoviq biseduan për një sërë temash dhe projektesh bashkëpunimi në infrastrukturën rrugore, ajrore dhe hekurudhore, e që kanë rëndësi për qytetarët e të dyja vendeve, por edhe për lidhjen e korridoreve me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e të dyja vendeve me Evropën, raporton Koha.Net.

Siç kumtohet në këtë takim ministrat e të dyja vendeve kanë biseduar edhe për tunelin Pejë-Rozhajë, projekt ky i cili do ta shkurtojë distancën mes dy vendeve dhe do të lehtësoj qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve, si dhe për mundësinë e heqjes së sigurimeve kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi si dhe lidhjen hekurudhore mes dy vendeve fqinje.

Po ashtu ministrat e të dyja vendeve biseduan edhe për projektin e rrugës Deçan-Plavë i cili projekt tashmë ka filluar së implementuari në pjesën e Kosovës, kurse ministri malazez Osman Nurkoviq dha zotime se edhe pala e Malit të Zi do ta vazhdojë këtë projekt nga kufiri e deri në Plavë.Ishte ministri malazez Osman Nurkoviq, i cili së pari përmendi lidhjet e Mali të Zi me Kosovën, e një prej të cilave del të jetë me tunelin Pejë – Rozhajë.

“Ne u pajtuam që të ndërtohet një tunel që do të lidhë Pejën me Rozhajën. Idenë e kemi të gatshme, tash duhet të merremi vesh”, ka thënë Nurkoviq.Ndërkaq, edhe ministry i Kosovës Palë Lekaj e ka konfirmuar këtë gjë, duke thënë se kanë nisur punët për të kryer studimin e fizibilitetit. “Po, jemi pajtuar rreth këtij projekti. Po bëhet fizibiliteti me intensitet të lartë. Na ka mbetur të shohim se si do ta realizojmë këtë projekt”, ka thënë Lekaj.

SHARE