Bashkimi Evropian (BE) është prioriteti kryesor për Malin e Zi dhe ndalesa përfundimtare në rrugën e reformave, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi Dritan Abazoviq, duke thënë se nuk është i sigurt se nisma e Ballkanit të Hapur është në perplasje me integrimin evropian. Zëvendëskryeministri Abazoviq i cili mori pjesë në konferencën Studime për Evropën Juglindore në Oxford, me temën “Ballkani i Hapur ose Bashkimi Evropian”, duke folur për qëndrimin e shtetit të Malit të Zi ndaj nismave rajonale, tha se “vendi ynë mbështet fuqishëm çdo lloj bashkëpunimi”. “Nëse u thoni njerëzve se kjo është ideja pas projekteve të ‘shtetit të madh’, ata janë logjikisht kundër saj. Por kur u shpjegoni se kjo nuk është realisht e vërtetë dhe se çështja është se ata nuk do të presin më në kufij, se ne do të aplikojmë bashkë për projekte infrastrukturore dhe do të luftojmë më fort krimin e organizuar, atëherë perceptimi ndryshon. Rajoni ka nevojë për besim dhe kjo është e pamundur të ndërtohet nëse shohim armiqësi në çdo gjë”, tha Abazoviq.