Një numër i shërbimeve komunale apeluan te qytetarët që me rastin e festimeve të 1 Majit, të mos i ndezin gomat e automobilave. Megjithatë, pavarësisht nga apeli i shërbimeve komunale, disa banorë të Tivarit nuk u ndalën që edhe sot të ndezin “zjarrin e 1 Majit”.
Policia komunale në Tivarë, tha se ajo po bën përpjekje maksimale për të parandaluar digjien e gomave të ruajtura në zonat kodrinore rreth Tivarit.
Sipas shërbimeve komunale edhe në disa vende të tjera janë parandaluar ndezjet e zjarreve. Tymi i dendur nuk është “zbavitje” lidhur me festimin e 1 Majit, në nderin e të cilit është praktikuar, por është shumë i dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin jetësor, kumtuan nga shërbimet komunale.
Sipas tyre në atmosferën, me rastin e ndezjes së gomave të automobilave, del tymi i cili përmban substanca të shumta të dëmshme, gazra toksike, dioksina dhe furan, të cilat kanë një efekt negativ në shëndetin e njeriut dhe në mjedisin ku jetojnë dhe përpos këtyre këto kanë edhe efekte kancerogjene.