ILIR ÇAPUNI KRYETAR I RI I KUVENDIT TË ULQINIT

Këshilltarët e Kuvendit komunal të Ulqinit, zgjodhën sot kryetarin e ri të Kuvendit të Komunës Ilir Çapuni.

Çapuni, i cili vjen nga radhët e Forcës së re Demokratike, sipas marrëveshjes së koalicionit do të jetë në krye të Kuvendit të Komunës së Ulqinit në katër vitet e ardhshme.

Ilir Çapuni ka lindur më 28 maj 1978 në Ulqin, ku ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm. Arsimin e lartë e ka kryer në Universitetin e Malit të Zi në fakultetin e shkencave të matematikës në Podgoricë. Doktoraturën në shkencat kompjuterike i ka mbaruar në Universitetin e njohur të Bostonit në vitin 2012. Është themelues i gazetës “Kronika” në gjuhën shqipe në vitin 1998, ku punoi si udhëheqës  dhe kryeredaktor. Nga viti 2003-2006  ka punuar si asistent në fakultetin e shkencave të matematikës dhe fakultetin e mësuesisë në gjuhën shqipe në Podgoricë dhe në Boston. Nga viti 2013 ka punuar në Tiranë si profesor i shkencave kompjuterike.

Zgjedhjen e Çapunit e përkrahën përfaqësuesit e shumicës së porsaformuar në Komunë të Ulqinit: PDS-së, Forcës, Koalicionit “Zgjohu Ulqin”, të përbërë nga Partia Demokratike e Fatmir Gjekës, Lëvizja Perspektiva e Amir Hollaj dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi e Mehmet Bardhit dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, të Mehmed Zenkës.

Ndërkaq Partia Demokratike e Socialistëve dhe Forca e re demokratike kanë nënshkruar të martën mbrëma në Ulqin marrëveshjen e cila parasheh që PDS-së ti takojë vendi i kryetarit të Komunës.

Kryetari i ri i Komunës së Ulqinit do të zgjidhet deri në mes të majit dhe sipas informatave jo zyrtare Kryetar i ri i Komunës së Ulqinit do të jetë shefi i PDS-së për Ulqin, Loro Nrekiq.

SHARE