DELTA RIKTHEN MASKAT NË SHBA

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara rekomanduan që amerikanët e vaksinuar plotësisht t’i kthehen vendosjes së maskës në ambiente të mbyllura në disa vende publike, për shkak të shqetësimeve që paraqet varianti më ngjitës i koronavirusit, Delta. Agjencia shëndetësore gjithashtu këshilloi që të gjithë nxënësit, mësuesit dhe stafi në kopshte dhe në shkolla të mbajnë maska, pavarësisht nga statusi i vaksinimit. Njoftimi paraqet ndryshim të politikës së miratuar në muajin maj, kur miliona amerikanë të vaksinuar i hoqën maskat e fytyrës, përveç në transportin publik dhe spitale. Drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha se rekomandimi i ri bazohet në shqetësimet nga varianti Delta. Derisa efikasiteti i vaksinave mbetet i lartë ndaj variantit Delta, “të dhëna të reja tregojnë se, në raste të rralla, disa njerëz të vaksinuar mund të jenë ngjitës dhe ta përhapin virusin te të tjerët”, tha Walensky.

SHARE