Shëndeti i qytetarëve të Malit të Zi është në rrezik serioz, tha Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Ai thotë se numrat e tmerrshëm të të ndjerëve si dhe të sëmurëve në Malin e Zi kërkojnë zbatimin sa më të shpejtë dhe efikas të masave epidemiologjike, mbylljen e kufirit për hyrje në vend pa testin PCR, si dhe përshpejtimin e procesit të imunizimit të popullsisë. “Në mënyrë që të mbrojmë qytetarët, ne duhet të ngrihemi mbi ndarjet,” tha Gjukanoviq. Sipas presidentit, më shumë se 1.000 qytetarë të Malit të Zi kanë vdekur në pak më shumë se 11 muaj si rezultat i infeksionit me koronavirus. “Shëndeti i qytetarëve tanë është në rrezik serioz,” tha presidenti. Kjo është arsyeja pse ai u bën apel institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të kthehen në ato aktivitete dhe sjellje të përgjegjshme, si në valën e parë. “Më shumë se kurrë, na duhet një qasje sistematike, punë ekipore e institucioneve kompetente, profesionalizëm, efikasitet dhe solidaritet në kryerjen e të gjitha detyrave. Për këtë qëllim, është e nevojshme të azhurnohen dhe zbatohen me forcë masat, të kontrollohet në mënyrë efektive pajtueshmëria e tyre, të mbyllet kufiri për hyrje në Malin e Zi, pa test PCR, si dhe të përshpejtohet procesi i imunizimit në interes të mbrojtjes më efikase dhe afatgjatë të shëndetit publik,”thekson Gjukanoviq.