BE-ja ME PROJEKT TË RI PËR TË NDIHMUAR VAKSINIMIN NË BALLKAN

Bashkimi Evropian ka njoftuar për nisjen e një projekti të ri për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në imunizimin e popullatës kundër koronavirusit të ri. Sipas një njoftimi të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, projekti është në vlerë të mbi 7 milionë eurove dhe do të realizohet në partneritet me Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Me këtë projekt të ri që në partneritet me OBSH-në mbështet fushatat e vaksinimit në Ballkanin Perëndimor, BE-ja vazhdon ta përmbushë zotimin e saj për t’i mbështetur partnerët tanë për trajtimin e pandemisë që nga fillimi i saj. Projekti i shtohet paketës sonë prej 70 milionë eurosh për të mbështetur qasjen në vaksina për rajonin dhe për të siguruar pajisjet e nevojshme për fushatat”, citohet të ketë thënë Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi. Sipas njoftimit, ky projekt do të ndihmojë përgatitjet e rajonit për administrimin efektiv të vaksinave COVID-19, përfshirë ato të marra nga COVAX dhe përmes mekanizmit të BE-së për ndarje të vaksinave me shtetet anëtare të BE-së. Paketa totale e ndihmës së BE për Ballkanin Perëndimor për reagimin ndaj COVID-19 aktualisht i tejkalon 3.3 miliardë euro, ka njoftuar më herët Komisioni Evropian. Kjo ndihmë përfshin mbështetjen e menjëhershme me pajisje, mbështetjen afatmesme dhe afatgjatë për sistemet shëndetësore dhe ekonomitë, mbështetjen për bizneset përmes bankave lokale, ndihmën makro-financiare në formën e kredive, dhe një paketë reagimi të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI).

SHARE