LIBRAT FALAS, PRAKTIKË E KOMUNËS SË TUZIT QË DO TË MIRATOHET EDHE NË NIVEL NACIONAL

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, njoftoj se para Parlamentit të ri gjendet propozimi për ndarjen e librave shkollorë falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore. “Siç e dini, Komuna e Tuzit këtë praktikë e ka filluar prej vitit 2020, duke bërë shpërndarjen e librave shkollorë për të gjitha klasat e mësimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, për të gjitha shkollat fillore brenda territorit të Komunës.  Këtë praktikë, e kemi planifikuar për ta vazhduar edhe këtë vit, duke planifikuar mjete të posaçme me Buxhetin e Komunës për vitin 2021,” shkruan Gjeloshaj. “Ajo që në mënyrë të posaçme më gëzon, është fakti se kjo praktikë e mirë e Komunës sonë, do të miratohet në nivel nacional, ku me këtë rast përgëzoj vendimin e shumicës së re parlamentare,” thekson Gjeloshaj. Investimi në fëmijët është investim në të ardhmen, veçanërisht në situatën sfiduese e cila ende është para nesh, e që ka të bëjë me luftën kundër COVID 19. “Komuna e Tuzit përherë i jep përparësi arsimit dhe na gëzon fakti se të gjithë filloristët në Mal të Zi do të kenë mundësi që librat e tyre t’i marrin falas,” përfundon Gjeloshaj.

SHARE