RAPORTET E KËSHILLIT TË EVROPËS, BUSULL NË RRUGËN DREJT BE-së

Sot, Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u takua me Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Malin e Zi, Evgenija Jakumopoulou, dhe theksoi se raportet e Këshillit të Evropës i shërbejnë Malit të Zi si një busull në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Abazoviq shprehu kënaqësinë me bashkëpunimin e suksesshëm katërmbëdhjetë vjeçar dhe tha se Qeveria e re do të intensifikojë bashkëpunimin afatgjatë dhe kuptimplotë përmes mekanizmave të shumtë dhe organeve këshilluese të Këshillit të Evropës. Sipas një deklarate nga zyra e zëvendëskryeministrit, Abazoviq tha se Qeveria mbetet e vendosur për promovimin e demokracisë, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe sigurimin e shtetit të së drejtës. Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës, Jakumopoulou, përgëzoi Zëvendëskryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës dhe deklaroi se Këshilli i Evropës i jep mbështetje të plotë Malit të Zi në rrugën e integrimit Evropian. Takimi ishte një mundësi që Abazoviq dhe Jakumopulou të diskutojnë masat e reformës në drejtim të forcimit të besimit në procesin zgjedhor, luftës kundër korrupsionit, sistemit të forcimit të demokracisë dhe promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

SHARE