NËNSHKRUHET MARRËVESHJA MBI MBËSHTETJEN E BE-së PËR SISTEMIN SHËNDETËSOR TË MALIT TË ZI

Marrëveshja financiare për mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE) për sektorin shëndetësor të Malit të Zi në luftën kundër COVID-19, e cila u nënshkrua sot në Podgoricë, vlen 9.5 milion EUR dhe përfshin, ndër të tjera, investime në infrastrukturë, pajisjet dhe kapacitetet njerëzore. Marrëveshja u nënshkrua nga shefja e delegacionit të BE në Mal të Zi, Oana Kristina Popa dhe kryenegociatorja, Zorka Kordiq. Popa tha se mbështetja e BE parashikon blerjen e pajisjeve PCR, e cila është e aftë të analizojë një numër të madh të mostrave të frymëmarrjes për zbulimin e koronavirusit. Ajo shtoi se do të ndërtohen ambiente për të akomoduar struktura mjekësore të rëndësishme për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive dhe trajtimin e pacientëve. Popa tha se paketa e mbështetjes prej 9.5 milion EUR e rënë dakord sot është pjesë e një programi më të madh të ndihmës financiare të pakthyeshme që BE i siguron Malit të Zi, me vlerë 53 milion EUR. Kordiq tha se perspektiva evropiane e Malit të Zi u forcua nga një mbështetje e strukturuar, e synuar dhe e vlefshme për sistemin shëndetësor. Ajo shtoi se BE ishte ndër të parat që njohu nevojën për të ndihmuar në atë zonë, por edhe në trajtimin e pasojave ekonomike dhe sociale të pandemisë në planin afatgjatë. “Qytetarët tanë e pranuan atë sikur të ishin nën kujdesin e familjes evropiane dhe ata e shprehën atë përmes rritjes së mbështetjes për pranimin në BE,” vuri në dukje Kordiq. Ajo theksoi se Mali i Zi, së bashku me BE-në, po ndërton dhe ruan një sistem shëndetësor.

SHARE