SEKULLOVIQ VIZITË ZYRTARE NË MAQEDONINË E VERIUT

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, pas takimit me homologun e tij nga Mali i Zi, Sergej Sekulloviç, theksoi se vendosja dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është një parakusht kryesor për luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Në konferencën e përbashkët për media të mbajtur pas takimit të dy ministrave në Shkup, ministri Spasovski tha se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë në një periudhë kur nevojitet bashkëpunim edhe më intensiv, duke theksuar partneritetin dhe marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve. “Ne arritëm në përfundimin se vendosja dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është një parakusht kryesor për të luftuar kundër migracionit të paligjshëm, trafikimit të qenieve njerëzore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, tha Spasovski. Ai gjithashtu tha se në takimin e sotëm u diskutuan praktikat në terren për sfidat me të cilat përballen vendet në rajon dhe Bashkimin Evropian për të luftuar krimin ndërkombëtar, për të cilin theksoi se po bëhet më kompleks dita ditës dhe kërkon thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në konferencë, ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Sergej Sekulloviç, tha se vizita e tij në Maqedoninë e Veriut ka për qëllim vazhdimin e bashkëpunimit të mirë dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy ministrive. “Vizita ka edhe një porosi tjetër shumë më të thellë simbolike, e ajo është se marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut janë të mira, se kemi nevojë për marrëdhënie të mira në rajon dhe se Maqedonia e Veriut është një histori suksesi me moton ‘Shoqëri për të gjithë'”, tha Sekulloviç. Siç theksoi ai, me ndërtimin e institucioneve të fuqishme demokratike dhe shtetin e së drejtës, dërgohet sinjal se në Ballkan mund të ketë demokraci multietnike.

SHARE