KRIVOKAPIQ: PUNËSIMI NË PËRPUTHJE ME KOMPETENCAT

Punësimi në administratën publike do të kryhet në përputhje me parimin e kompetencës së kandidatëve, tha Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, duke theksuar se përkatësia në ndonjë organizatë, komb apo fe nuk do të jetë kriter për të punuar në organet shtetërore. Krivokapiq tha se Qeveria, në përputhje me ligjin, është përgjegjëse për procesin e emërimit  të personelit të rangut të lartë në organet e administratës shtetërore, si dhe në shumicën e institucioneve të sektorit publik. “Në këtë drejtim, theksoj se çdo emërim në institucionet e sektorit publik, për të cilin është përgjegjëse Qeveria, do të kryhet në përputhje me parimin e kompetencës së kandidatëve. Ky është qëllimi i përcaktuar nga programi i kësaj qeverie, nga e cila nuk do të devijojmë,” tha Krivokapiq. Kjo, siç shpjegoi ai, do të thotë që Qeveria do të sigurojë që stafi cilësor të zgjidhet për pozicionet kryesore në sektorin publik, duke respektuar të gjitha zgjidhjet ligjore. Ai tha se, në përputhje me rregulloret pozitive, do të zhvillohen konkurse publike transparente, qëllimi i të cilave do të jetë zgjedhja e stafit më të kualifikuar dhe profesional.

SHARE