KRYETARI I KUVENDIT PRITI NË TAKIM DELEGACIONIN E PARLAMENTIT EVROPIAN

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq priti në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, i cili merr pjesë në punën e Komisionit Parlamentar të Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi për Stabilizim dhe Asociim (POSP).

Kryetari Mandiq e informoi delegacionin për rezultatet e arritura nga Mali i Zi në rrugën evropiane, rikujtoi se rezultatet pozitive janë theksuar edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian dhe tha se tani duhet të punojnë edhe më shumë për të arritur qëllimin.

Mandiq ka bërë të ditur se problemi më i madh në Mal të Zi për momentin është krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe se kjo është një nga pengesat në zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme.

Delegacioni i kryesuar nga shefi i Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi për Stabilizim dhe Asociim, Thomas Weiss, nënvizoi progresin e dukshëm në vitin e fundit dhe tha se hyrja në BE është e mundur gjatë mbledhjes aktuale të Parlamentit Evropian, por që ka ende shumë punë për të bërë në atë rrugë.

Bashkëbiseduesit theksuan edhe rëndësinë e miratimit të ligjeve zgjedhore, ligjeve për financimin e partive politike, si dhe zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme.

Mandiq i njohu bashkëbiseduesit me idenë e hapjes së Zyrës së PE-së për Ballkanin Perëndimor në Podgoricë, por edhe me idenë që Kuvendi të ketë përfaqësuesin e tij në Parlamentin Evropian, me qëllim arritjen më të shpejtë të synimeve.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit shprehu dëshirën që gjatë vitit të ardhshëm, Parlamenti i Malit të Zi të organizojë një Samit të Parlamentarëve Evropianë.

Bashkëbiseduesit thanë se këto janë ide të mira, por kujtuan gjithashtu se zbatimi nuk varet vetëm prej tyre.

SHARE