Mbi 70 të vdekur është bilanci tragjik i zjarrit që pushtoi një ndërtesë shumëkatëshe në qytetin më të madh të Afrikës Jugore, Johannesburg.
Autoritetet flasin edhe për më shumë se 40 të lënduar nga flakët që shpërthyen në orët e para të mëngjesit, kur me gjasë, banorët kanë qenë në gjumë.
“Aktualisht i kemi më shumë se 70 të vdekur. Kurse janë edhe 43 të lënduar, të cilët janë dërguar në qendra të ndryshme spitalore”, tha Robert Mulaudzi, zëdhënës i Shërbimit të Emergjencës.
Zjarri tashmë është shuar, ndërsa operacionet e kërkimit vazhdojnë në godinën gjysmë të shkatërruar prej tij. Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë. “Po shkojmë kat më kat për të tërhequr trupat. Kjo është një ditë e trishtë për qytetin e Johanesburgut. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë gjatë 20 viteve të mia në shërbim”, u shpreh Mulaudzi.
Ende nuk është e qartë se çfarë i shkaktoi zjarrin. Godina duket shërbente si “një vendbanim joformal” ku njerëzit e pastrehë ishin vendosur në kërkim të akomodimit pa ndonjë marrëveshje kontrate zyrtare, e kjo e ka bërë më të vështirë kërkimin e njerëzve në këtë objekt, ku sipas dëshmitarëve mund të kenë qenë duke jetuar rreth 200 vetë.
Në qershor, zjarri në një ndërtesë të vjetruar në Johanesburg i mori jetën dy fëmijëve nën moshën 10-vjeçare, të cilët kishin mbetur të ngujuar në banesë.