VENECIA KUFIZON NUMRIN E VIZITORËVE / MAKSIMUMI 25 NË GRUP: TURIZMI MASIV PO NA MBYT

Venecia do të kufizojë madhësinë e grupeve turistike në maksimumi 25 persona, duke filluar nga e enjtja, në përpjekjen e fundit për të reduktuar ndikimin e turizmit në qytetin lagunor.

Autoritetet lokale do të ndalojnë gjithashtu përdorimin e altoparlantëve nga guidat turistike në përpjekje për të mbrojtur qetësinë e banorëve dhe për të siguruar lëvizjen e lirshme të këmbësorëve.

Do të ketë gjoba që variojnë nga 25-500 euro për ata që nuk respektojnë këto masa të reja, të cilat fillimisht ishin planifikuar të hynin në fuqi nga qershori, por u shtynë deri në fillim të gushtit.

Kufizimet mbulojnë qendrën e qytetit dhe gjithashtu ishujt Murano, Burano dhe Torcello.

Në prill, Venecia u bë qyteti i parë në botë që prezantoi një sistem pagese për vizitorët, në një eksperiment që synonte të pengonte udhëtarët ditorë të vinin në qytet gjatë periudhave të pikut.

Skema pilot, e cila është ndjekur nga afër nga pikat e tjera turistike evropiane, mbuloi vetëm 29 ditë dhe përfundoi në korrik, duke hapur rrugën për një periudhë konsultimesh për të vendosur se si do të vazhdojë projekti në të ardhmen.

Ka ndërkohë një sërë përjashtimesh nga rregullat për grupet turistike.

Fëmijët deri në dy vjeç nuk përfshihen në numërim dhe kufizimi është parashikuar për vizitat e nxënësve ose atyre që janë në një udhëtim edukativ.

SHARE