DUKAJ: KËSHILLTARËT TË CILËVE U KA SKADUAR MANDATI NUK MUND TË ZGJEDHIN KRYETARË KOMUNASH

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj sot i ka dërguar informacione kryeministrit të Malit të Zi (Mlilojko Spajiq) dhe kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi (Andrija Mandiq) për nevojën e zgjidhjes urgjente të problemeve në sistemin e vetëqeverisjes lokale, me fokus në sfidat në komunat e Shavnikut dhe Kotorrit.

“Kujtojmë se në komunën e Shavnikut procesi zgjedhor nuk ka përfunduar që nga viti 2023, ndërsa në komunën e Kotorrit që nga shtatori i vitit 2024. Kuvendet e komunave të lartpërmendura funksionojnë jashtë mandatit të përcaktuar katërvjeçar, me mandatin e kryetarit të Kotorrit që ka përfunduar tashmë, ndërsa mandati i kryetarit të komunës së Shavnikut përfundon më 18 shkurt 2025. Ministri i Administratës Publike Dukaj theksoi se ekziston rreziku që kuvendet që nuk kanë legjitimitetin zgjedhor, të zgjedhin kryetarët e këtyre komunave. Situata e lartpërmendur shkakton pasoja të rënda juridike dhe politike, të cilat reflektohen në mungesën e legjitimitetit zgjedhor, pakuptimësinë e proceseve demokratike dhe kufizimin e të drejtave të qytetarëve për vetëqeverisje lokale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Lidhur me këtë, u theksua se përgjegjësinë për adresimin sistematik të sfidave në këto komuna e ka Kuvendi i Malit të Zi, komisioni kompetent, ku ministri Dukaj apelon dhe shpreh shpresë dhe pritshmëri nga kryeministri dhe kryetari i Kuvendit që adresimi i sfidave të mësipërme të jetë i prioritizuar dhe aktualizuar, pa politizim – në mënyrë që qytetarët të ushtrojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë.

„Ministria e Administratës Publike ka shteruar të gjitha mundësitë ligjore për të ndikuar dhe vepruar në dukuritë negative të lartpërmendura dhe Komisioni Parlamentar për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore ka marrë përsipër obligimin për zgjidhjen e krizës në komunën e Shavnikut,“ thuhet në një deklaratë. Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar për vënien në veprim të reformave.

SHARE