Foto: Boris Pejović
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar programin e ri ekonomik “Euro Model”, sipas të cilit nga janari i vitit të ardhshëm paga minimale neto do të jetë 1,000 euro për punonjësit me arsim fillor ose më të ulët, 1,250 euro për ata me arsim të mesëm dhe 1,400 euro për punonjësit me arsim të lartë.
Programi pritet të përfshijë mbi 250 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat.
Sipas kryeministrit Millojko Spajiq, rritje do të ketë edhe për pagat mbi minimumin, ndërsa një rritje shtesë mund të realizohet nëse partnerët socialë pranojnë që rritja e vlerës së koeficientit të aplikohet njësoj në sektorin publik dhe privat.
Nga viti 2027, pensionet do të harmonizohen katër herë në vit, ndërsa pensioni mesatar pritet të kalojë 600 euro dhe pensioni minimal 500 euro.
Gjithashtu, çdo pensionist do të marrë 100 euro shtesë në dhjetor të këtij viti për shpenzimet e dimrit.
Spajiq tha se reforma do të financohet përmes rritjes së konsumit dhe punësimit, luftimit të ekonomisë informale, disiplinës buxhetore dhe masave të tjera fiskale.
Sipas tij, programi synon rritjen e standardit të jetesës dhe krijimin e kushteve që qytetarët që jetojnë jashtë vendit të rikthehen në Mal të Zi.
Vendimi i Qeverisë për “Euro Model” do t’i dërgohet për shqyrtim Kuvendit të Malit të Zi.









