KONFERENCA NDËRQEVERITARE ME MALIN E ZI SHTYHET PËR TETOR

Foto: Boris Pejović

Konferenca ndërqeveritare e Bashkimit Evropian, në të cilën Mali i Zi pritet të mbyllë kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim, nuk do të mbahet këtë muaj në kuadër të Këshillit të BE-së për Çështje të Përgjithshme.

Një zyrtar i BE-së tha se po punohet intensivisht për miratimin e mbylljes së kapitujve të rinj, por se procedurat e brendshme në disa shtete anëtare nuk kanë përfunduar.

Sipas tij, procesi është pothuajse i përfunduar dhe shtyrja lidhet kryesisht me mungesën e kohës. Konferenca e radhës ndërqeveritare mund të mbahet në mesin e tetorit në Luksemburg.

Mali i Zi deri tani ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt negociues, ndërsa ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, ka bërë të ditur se në Bruksel janë dërguar qëndrimet për nëntë kapituj të tjerë, ndërsa gjashtë të mbeturit pritet të dërgohen deri në fund të vitit.

SHARE