Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Elektroekomisë së Malit të Zi (EEMZ) dhe Sistemeve Elektro-Shpërndarëse Malazeze (CEDIS) nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi, e cila, siç është paralajmëruar, do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit profesional në inxhinieri elektrike dhe energji. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Miomir Vojinoviq dhe drejtorët ekzekutivë të EEMZ dhe CEDIS, Nikola Rovçanin dhe Vladimir Çagjenoviq.
“Jam i sigurt se Ministria e Arsimit, përmes Qendrës së saj për Arsim Profesional dhe përmes përfaqësuesve tuaj, do të punojë në formimin e një kuadri jashtëzakonisht profesional për nevojat e EEMZ”, tha Vojinoviq. Ai konsideron se nënshkrimi i marrëveshjes është një hap i rëndësishëm sepse do të mundësojë punësimin e kuadrit profesional të nivelit të mesëm.
Rovçanin tha se ky nënshkrim është një kapitull i ri që sektori i arsimit do t’i përshtatet realitetit dhe tranzicionit të energjisë drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. “E keni parë në periudhën e kaluar se me çfarë përballet Evropa dhe bota, vendi ynë është bërë lider dhe forca lëvizëse e ekonomisë në drejtim të zhvillimit të sektorit të energjisë. E gjithë kjo kërkon njohuri, e gjithë kjo kërkon personel dhe është shumë e rëndësishme që sistemi arsimor dhe tregu i punës të përshtaten me atë plan”, tha Rovçanin.
Sipas shefit ekzekutiv të CEDIS, Vladimir Çagjenoviq, marrëveshja është e rëndësishme për të gjithë aktorët. “CEDIS e pranoi menjëherë këtë marrëveshje dhe i vuri në dispozicion të gjitha kapacitetet e tij për të trajnuar fëmijët të cilët nesër në kompanitë energjetike do të sjellin rezultate të jashtëzakonshme si për shtetin ashtu edhe për shoqërinë në tërësi”, tha Çagjenoviq.