Edin Krniq edhe një herë tërhoqi vëmendjen me gjestin e tij madhështor, njerëzor. Krniq ka gjetur para disa netësh një çantë të mbushur me para në ambientet e “Multikom” në Podgoricë dhe më pas ia ka kthyer pronarit.
Krniq ka thënë për Portalin RTMZ se më 28.11.2023 rreth orës 20 në “Multikom” ka gjetur një çantë plot me para dhe menjëherë ka kërkuar ndihmën e stafit për të përcaktuar se kujt i përket çanta.
“Kemi shikuar pamjet nga kamerat e vëzhgimit dhe kemi konstatuar se shtetasi turk Yunus Can, i cili normalisht banon në Mal të Zi, nga pakujdesia ka lëshuar një çantë me para në banakun ku janë të ekspozuar celularët teksa ka bërë pazar në ‘Multikom’ dhe ai tha se nuk i kujtohet të ketë bërë një gjë të tillë, ai ishte i mendimit se paratë i kishte me vete. E gjeta atë çantë dhe thirra Veselin Pajoviqin, një punonjës i Multikom-it, i cili me insistimin tim kontrolloi menjëherë kamerat e vëzhgimit dhe më pas, në konsultim me kolegët e tij, doli në përfundimin se Yunus Can, klienti i tyre i rregullt, kishte humbur çantën. Për fatin e tij ‘Multikom’ kishte kontaktin e tij dhe menjëherë e thirra të vinte të merrte çantën. Ai u hutua sepse nuk e dinte që kishte humbur para, nuk e dinte se për çfarë bëhej fjalë dhe mendoi se ishte një shaka e pakëndshme. Por pas një ore, Yunus Can u përgjigj dhe tha se kishte humbur çantën me para. Ne ramë dakord që t’ia ktheja çantën dhe e bëmë në ambientet e ‘Multikom’. Kur ia ktheva paratë, ai ishte jashtëzakonisht mirënjohës sepse ishin paratë e vajzës së tij Ipek”, na tha Krniq.
Pavarësisht këmbënguljes, Krniq refuzoi shpërblimin monetar.
“Jam veçanërisht i lumtur që Yunus Can është jashtëzakonisht mirënjohës, duke pasur parasysh se ai zgjodhi Malin e Zi për të jetuar me familjen e tij. Dy vajzat e tij janë nxënëse të shkollës fillore të Podgoricës. Me këtë konstatuai se jetën e tij në Mal të Zi e kalon me njerëz të mirë dhe se ai mund të llogarisë në mbështetje”, tha Krniq, duke përshkruar këtë ngjarje.