Kryeministri i Malit të Zi në mandat teknik Dritan Abazoviq propozoi në seancën e sotme të Qeverisë që ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit Ana Novakoviq Gjuroviq të koordinoj me Ministrinë e Çështjeve Evropiane, pas dorëheqjes së Jovana Maroviq. Të rikujtojmë, se të premten Maroviq ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministres për Politikë të Jashtme, Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane dhe Ministres së Çështjeve Evropiane, por edhe nga posti i nënkryetarës të Lëvizjes Qytetare URA. Abazoviq ka falënderuar Jovana Maroviq për gjithçka që ka bërë derisa ishte në krye të Ministrisë së Çështjeve Evropiane. “Arsyet e dorëheqjes mund të jenë kjo apo ajo, por nuk mund ta shoh atë që u dëgjua në publik si arsye për dorëheqje”, tha Abazoviq. Ai shtoi se ministrja Ana Novakoviq Gjuroviq do të koordinoj më tej me departamentin e Maroviq. “Nuk do të lejojmë që kjo të vonohet. Propozoj që Ana Novakoviq Gjuroviq të jetë koordinatore e Ministrisë së Çështjeve Evropiane”, tha Abazoviq. Ai apeloi sërish te deputetët që në 12 dhjetor të zgjedhin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. “Ata që janë pro rrugës europiane do të votojnë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese. Ata që nuk janë për rrugën evropiane nuk mund të fshihen pas ndonjë propagande të rrejshme, por le të marrin përgjegjësinë”, tha Abazoviq. Siç theksoi ai, një nga detyrat kryesore të Ministrisë së Çështjeve Evropiane është ndër të tjera që të shpjegojë situatën.