IVANOVIQ NË POLONI: FOKUS TE DIGJITALIZIMI, SIGURIA KIBERNETIKE DHE INTEGRIMI EVROPIAN

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane, dr. Filip Ivanoviq, gjatë vizitës zyrtare në Poloni u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Digjitalizimit, Kshishtof Gavkovski, si dhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, Vladislav Kosinjak-Kamish.

Në takimet u konfirmuan marrëdhëniet miqësore dhe partneriteti mes dy vendeve, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua transformimit digjital, sigurisë kibernetike, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Gjatë takimit me Gavkovskin u diskutua për shkëmbimin e përvojave në zhvillimin e shërbimeve digjitale publike, teknologjitë e reja dhe mbrojtjen nga kërcënimet kibernetike.

Polonia shprehu gatishmërinë për të ndarë ekspertizën e saj me Malin e Zi në procesin e transformimit digjital.

Ndërsa me ministrin e Mbrojtjes, Kosinjak-Kamish, në fokus ishin sfidat e sigurisë në Evropë, forcimi i sigurisë kolektive dhe bashkëpunimi brenda NATO-s.

Ivanoviq theksoi rëndësinë e partneritetit me Poloninë dhe përkushtimin e Malit të Zi ndaj parimeve të sigurisë kolektive. Kosinjak-Kamish shprehu mbështetjen e plotë të Polonisë për integrimin evropian të Malit të Zi, duke theksuar bindjen se dy vendet, si aleate në NATO, së shpejti do të jenë bashkë edhe në Bashkimin Evropian.

Ai ofroi gjithashtu mbështetje teknike dhe ekspertizë për forcimin e kapaciteteve administrative dhe mbrojtëse të Malit të Zi, si dhe paralajmëroi krijimin e mekanizmave për bashkëpunim më të thellë në fushën e sigurisë.

SHARE