MILLATOVIQ: KOHA ËSHTË PËR LISTA TË HAPURA ZGJEDHORE DHE STANDARDE EVROPIANE NË KUVEND

Foto: Boris Pejović

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka deklaruar se futja e listave të hapura zgjedhore do të forconte lidhjen mes qytetarëve dhe deputetëve, si dhe do të rriste përgjegjësinë dhe transparencën e Kuvendit.

Në kuadër të Ditës së Parlamentarizmit të Malit të Zi, më 31 tetor, Millatoviq theksoi se 120-vjetori i parlamentarizmit është një mundësi për forcimin e institucioneve demokratike dhe besimit të qytetarëve.

Ai rikujtoi se themelet e demokracisë parlamentare në vend u vendosën me miratimin e Kushtetutës së Principatës së Malit të Zi në vitin 1905 dhe me konstituimin e Kuvendit të parë Popullor, më 31 tetor 1906, në Cetinë.

Millatoviq nënvizoi se Kuvendi duhet të jetë një hapësirë e debatit të argumentuar, shkëmbimit të lirë të mendimeve dhe marrjes së vendimeve në interes të qytetarëve.

Ai gjithashtu bëri thirrje për reformimin e sistemit zgjedhor përmes futjes së listave të hapura, një nismë të cilën ia kishte dorëzuar zyrtarisht Kuvendit në dhjetor të vitit 2024.

Sipas tij, Mali i Zi duhet të zbatojë standardet evropiane edhe në mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të tij politikë.

Duke folur për fazën përfundimtare të integrimit evropian, presidenti theksoi se Kuvendi ka rol të rëndësishëm në zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe realizimin e objektivit strategjik të vendit – anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në fund, Millatoviq bëri thirrje për bashkëpunim politik, kompromis dhe përgjegjësi institucionale, pavarësisht dallimeve politike, në funksion të zhvillimit demokratik dhe së ardhmes evropiane të Malit të Zi.

SHARE