Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar 9 majin 2027 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se data është caktuar pas konsultimeve me përfaqësues të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Thirrjes së Presidentit iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa subjektet e tjera politike nuk morën pjesë në konsultime dhe nuk shprehën parapëlqime për datën e zgjedhjeve.
Sipas njoftimit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi 9 majin 2027, duke argumentuar se caktimi i kësaj date, si e fundit në kalendarin e periudhës zgjedhore të pranverës, u jep institucioneve më shumë kohë për përgatitjet dhe masat e nevojshme për organizimin e procesit.
Edhe Partia Socialdemokrate shprehu mbështetjen për këtë datë.
Kodi Zgjedhor parashikon që zgjedhjet vendore të zhvillohen në periudhën zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela mes 15 prillit dhe 15 majit.
Në përfundim të konsultimeve, Presidenti i dha forcë juridike datës 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, duke theksuar se kjo zgjedhje nuk lidhet me ndonjë favorizim të palëve politike apo ndikim në vullnetin e lirë të zgjedhësve.
Në njoftimin e tij, kreu i shtetit u bëri thirrje forcave politike të marrin pjesë në zgjedhje me kandidatë, alternativa dhe platforma, si dhe të garantojnë një proces të drejtë e konkurrues.
Ai kërkoi gjithashtu respektimin e kuadrit ligjor, barazinë mes palëve dhe bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.









