Komisioni Evropian ka miratuar paketën vjetore të zgjerimit, duke ofruar një vlerësim të detajuar të progresit të bërë nga vendet e rajonit dhe vendet tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Në artikullin e publikuar nga Komisioni Evropian thuhet se procesi i zgjerimit vazhdon të jetë i bazuar në merita dhe varet nga progresi objektiv i bërë nga secili prej partnerëve
Presidentja e Komisionin Evropioan, Ursula von der Leyen, është shprehur se zgjerimi do të mbetet prioritet kryesor i përbërjes së re të Komisionit.
“Konteksti i tensionuar gjeopolitik e bën më imponues se kurrë nevojën që ne të përfundojmë ribashkimin e kontinentit tonë, nën të njëjtat vlera të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ne kemi bërë tashmë hapa të mëdhenj gjatë viteve të fundit drejt integrimit të shteteve të reja anëtare”, shprehet von der Leyen.
Komisioni mirëpret hapjen e negociatave me Shqipërinë
Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, Komisioni mirëpret hapjen e negociatave për grup-kapitullin themelor në konferencën e dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor 2024.
“Është thelbësore që autoritetet të intensifikojnë më tej ritmin e reformave të orientuara nga BE, veçanërisht në sundimin e ligjit, duke konsoliduar historikun e zbatimit të ligjit, në luftimin efektiv të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe promovimin e të drejtave themelore, duke përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronës dhe pakicave”, thuhet në njoftim.
Kosova shënon progres në luftën kundër krimit të organizuar
Sa i përket Kosovës, bëhet e ditur se Prishtina zyrtare ka dorëzuar aplikim për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.
“Komisioni mbetet i disponueshëm për të përgatitur një Opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo ta kërkojë Këshilli. Progres është shënuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe mjedisi i biznesit është përmirësuar. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka hyrë në fuqi më 1 janar 2024. Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes”, thuhet në njoftim.