Japonia do të paguajë deri në 325 milionë euro për prodhimin e çipave të kompanisë amerikane

Japonia po i jep një prodhuesi të madh amerikan të çipave një subvencion prej mbi 325 milionë euro për ta mbështetur planin e tyre për prodhimin e çipave të memories në një fabrikë në Hiroshima, bëri të ditur ministri japonez i tregtisë.

Njoftimi për subvencionimin e Micron Technology vije në prag të vizitës në Japoni të zëvendës presidentes të SHBA-ve Kamala Harris, teksa të 2 vendet përforcojnë bashkëpunimin mbi zgjerimin e zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit për materialet e shumë kërkuara.

“Shpresoj se marrëveshja do të kontribuoj në zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit në mes të Japonisë dhe SHBA-ve në sektorin e gjysmëpërçuesve”, tha Yasotshi Nishimura, ministri japonez për ekonomi dhe tregti, raporton ABC News, transmeton Telegrafi.

Ai deklaroi se qeveria e aprovoi marrëveshjen gjatë ditës së sotme sipas një ligji që lidhet me sigurinë ekonomike.

Gjatë vizitës së saj në Azi këtë javë, Harris u takua me zyrtarë japonez dhe ekzekutiv të kompanisë të gjysmëpërçuesve për të kërkuar bashkëpunim më të madh në përforcimin e zhvillimit dhe prodhimit të gjysmëpërçuesve në mes të rritjes së ndikimit të Kinës.

Micron ishte në mesin e kompanive që morën pjesë në takim me Harris, së bashku Tokyo Electron, Nikon, Hitachi, High-Tech Group dhe Fujitsu Ltd.

SHBA-ja po punon për përforcimin e bashkëpunimit të saj teknologjik me Japoninë, Korenë Jugore dhe Tajvanin, përderisa po përpiqen që ta ngritin prodhimin vendor të gjysmëpërçuesve, mes investimit të Kinës në çipat kompjuterik. /Telegrafi/

SHARE