MONSTAT: INFLACIONI NË GUSHT 4.5 PËR QIND

Foto: Shutterstock

Inflacioni në Mal të Zi arriti në 4.5 për qind në gusht, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa çmimet e konsumit u rritën me 1.2 për qind në raport me korrikun, tregojnë të dhënat e Monstat.

Rritjen mujore të çmimeve e ndikuan më së shumti karburantet dhe lubrifikantët për automjete, shërbimet e telefonisë mobile, akomodimi, perimet, lëndët djegëse të ngurta, si dhe çmimet në restorante dhe kafene.

Në periudhën janar–gusht, çmimet e konsumit ishin mesatarisht 3.5 për qind më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja më e madhe mujore e çmimeve u regjistrua në grupin e transportit me 5.4 për qind, pasuar nga informacioni dhe komunikacioni me 4.4 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 3.1 për qind, si dhe rekreacioni, sporti dhe kultura me 2.4 për qind.

Ndërkohë, çmimet e veshjeve dhe këpucëve ranë me 3.4 për qind, ndërsa mobiliet dhe mirëmbajtja rutinë e banesave u liruan me 1 për qind.

Çmimet në kategoritë e tjera nuk shënuan ndryshime të rëndësishme.

SHARE