SHTETËSIA EKONOMIKE ENDE PA EPILOG: PESË KËRKESA DHE 2.24 MILIONË EURO NË PRITJE

Programi i shtetësisë ekonomike në Mal të Zi ka përfunduar zyrtarisht në fund të vitit 2022, por procedurat administrative dhe financiare ende nuk janë mbyllur plotësisht. Sipas të dhënave të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve, pesë kërkesa ende presin vendim nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa në llogaritë escrow të aplikantëve ndodhen rreth 2.235 milionë euro. Deri më 1 shtator 2026, janë përpunuar 1,108 nga gjithsej 1,113 kërkesa. Nga këto, 869 janë miratuar, ndërsa 239 janë refuzuar për shkak të vlerësimeve negative ose mospërmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Qeveria. Nga pesë dosjet e mbetura, tri janë paraqitur përmes “Henley & Partners Government Services”, ndërsa nga një përmes “Apex Capital Partners” dhe “Arton Group”. Të gjitha ndodhen në fazën përfundimtare të vendimmarrjes. Në llogaritë escrow mbeten 1.835 milionë euro për projekte turistike, si dhe 400 mijë euro të destinuara për zhvillimin e politikës së inovacionit. Ndërkohë, fondet për bujqësi dhe industrinë përpunuese janë transferuar tashmë te investitorët. Që nga fillimi i programit, investitorëve në projektet turistike u janë transferuar rreth 251.47 milionë euro, ndërsa 43.58 milionë euro janë paguar në llogarinë e thesarit shtetëror në formë taksash administrative dhe 31.4 milionë euro në Fondin e Inovacionit. Edhe gjatë vitit 2026 kanë vijuar transaksionet financiare. Transferimi i fundit është kryer më 28 gusht, vetëm katër ditë para përditësimit të të dhënave, kur për një aplikim janë transferuar 99,917 euro. Ministria thekson se të dhënat financiare gjenerohen nga një softuer i posaçëm për ndjekjen e programit, i cili nuk ka modul të plotë të kontabilitetit. Për këtë arsye, gjendja financiare verifikohet edhe përmes raporteve të auditorëve të pavarur. Kështu, edhe pse programi i shtetësisë ekonomike është mbyllur zyrtarisht prej gati katër vitesh, pesë vendime dhe 2.235 milionë euro ende presin përfundimin e procedurave.

SHARE