VUÇIQ: NUK KA SHANSE QË ÇËSHTJA E TARGAVE TË ZGJIDHET PARA 1 SHTATORIT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk sheh mundësi që çështja e targave me Kosovën të zgjidhet para 1 shtatorit dhe shtoi se ai beson se Kosova me shumë gjasa do të nisë fushatën për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. “Nuk mendoj se do të ketë shumë sukses në këtë çështje. Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në Bruksel se do të jetë i suksesshëm dhe se serbët do të jenë të interesuar që t’i ndryshojnë targat. Le të shohim, është një proces që do të zgjasë. Nuk ka asnjë shans që kjo çështje të zgjidhet para 1 shtatorit”, deklaroi Vuçiq të martën, më 30 gusht. Pas ndërmjetësimit të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, më 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e dokumenteve të identitetit. Megjithatë, vendimi i Prishtinës për riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator. Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat me targa të Republikës së Kosovës.

SHARE